KOSOVË, KONFERENCË RAJONALE PËR MBËSHTETJEN E INVESTIMEVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Është mbajtur në Prishtinë konferenca finale e Projektit të Bashkimit Evropian (BE) për mbështetjen e Forumit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF).  

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe industrisë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

WB6 CIF përfaqëson rreth 350 mijë kompani, kryesisht ndërmarrje të vogla dhe të mesme në misionin e saj për të hapur mundësi të reja për një rrjetë më të fortë të komuniteteve të biznesit brenda Ballkanit Perëndimor.

Në pjesën hyrëse të konferencës, presidenti i Bordit Menaxhues të WB6 CIF, njëherësh kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se ky forum është shumë i rëndësishëm për ekonomitë e vendeve të rajonit. Ai tha se duke promovuar bashkëpunimin rajonal bëhet më e lehtë qasja e bizneseve të vendeve të Ballkanit në tregun evropian dhe anasjelltas.

“Zhvillimi ekonomik, prosperiteti janë katalizatorë për ndërtimin e besimit në të gjitha shtetet”, theksoi Rafuna, duke shtuar se forumi synon promovimin e stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimin në regjion.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë Serbe, njëherësh president i Bordit menaxhues të WB6 CIF nga viti 2017 deri në vitin 2022, Marko Çadez tha se Ballkani Perëndimor ka potencial të madh për të investuar, për shkak të rezervave që natyrore që ka pikërisht në ato për të cilat Evropa dhe bota po i kërkojnë aktualisht.

Ai tha se më shumë se 6 mijë kompani nga i gjithë rajoni i janë nënshtruar disa formave të trajnimit, edukimit, seminareve dhe forumeve të biznesit duke nënvizuar se tani këto kompani janë të suksesshme dhe mund t’i tregtojnë produktet e tyre në tregjet e BE-së dhe në botë.

“Është veçanërisht e rëndësishme që kompanitë nga ekonomitë e ndryshme të Ballkanit Perëndimor të bëjnë marrëveshje të përbashkëta, të bëjnë projekte të reja të përbashkëta dhe të performojnë së bashku në tregun e tretë. Dhe kjo është ajo që do të konsiderohej si rezultat i mirë”, tha Çadez.

Sipas tij, fokusi për të ardhmen është të bindet sa më shpejtë BE-ja se ky rajon duhet të jetë pjesë e tregut të përbashkët.

Konferenca ka për qëllim mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në rajon në fushën e ndërkombëtarizimit të biznesit me theks për qasje më të lehtë në burimet e financimit, krijimin e kompanive të reja dhe inkurajimin e kërkimit dhe inovacionit.

SHARE