ESCOBAR E LAJÇAK TAKOJNË OSMANIN/ TAKIME ME KRERËT E OPOZITËS DHE LISTËN SERBE

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë vazhduar takimet me liderë politikë në Prishtinë.

Ata fillimisht u takuan me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, e cila citohet t’u ketë thënë atyre se vetëm ndëshkimi i grupeve kriminale mund të çojë në një “stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.

“Prandaj presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë”, u tha Osmani, sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes.

Osmani përmendi mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja gjatë takimit të saj.

“Zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, tha Osmani.

Escobar dhe Lajçak u takuan më vonë edhe me përfaqësues të partive opozitare në Kosovë.

Pas këtij takimi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se nuk është diskutuar për opsionin e zgjedhjeve.

Ai gjithashtu tha se nuk i ka parë kurrë më të shqetësuar ndërkombëtaret.

“Zgjidhja e situatës i takon Qeverisë së Kosovës, përgjegjësia i takon asaj”, tha Krasniqi pas takimit, duke theksuar se opozita shprehi gatishmërinë të punojë për përmirësimin e marrdhënieve me aleatet si SHBA-ja dhe BE-ja.

Ndërkaq, kryetari i partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se Kosova po futet në një situatë “shqetësuese dhe të paqartë”.

Ai tha se qytetarëve u mbetet të shohin se cilat do të jenë pasojat e raporteve të tilla të shtetit me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n.

Për tensionet në veri dhe kërkesat e serbëve, Lajçak dhe Escobar takuan edhe Listën Serbë por që asgjë nuk u bë e ditur nga ana e palëve.

SHARE