ARMËT PËRGJAKËN SHBA NË FUNDJAVË

Të shtënat me armë zjarri në tre qytete amerikane vranë nëntë persona dhe plagosën me dhjetëra të tjerë fundjavën që shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Filadelfia, një konfrontim midis dy burrave u përshkallëzua në një përleshje me armë që në një restorant të mbushur me njerëz duke vrarë tre persona, duke plagosur 12 të tjerë dhe duke shkaktuar panik. Në mënyrë të ngjashme, të shtënat shpërthyen pas mesnatës së të shtunës pranë një bari në Chattanooga, Tennessee, duke vrarë tre dhe duke plagosur 14, sipas policisë. Në një tjetër ngjarje që ndodhi në orët e para të së dielës tre persona u vranë dhe dy u plagosën në Saginaw, Michigan. Ndryshe nga dy rastet e tjera, të cilat prekën kalimtarë që nuk kishin lidhje me të shtënat, të pesë personat në të shtënat në Michigan ishin të përfshirë në incident, tha policia. Asnjë nga të dyshuarit si autorë në tre ngjarjet kriminale nuk është gjetur. Dhuna me armë zjarri që goditi këto tre qytete vjen në një kohë që njerëzit janë ende të pikëlluar nga masakrat që vranë 10 njerëz në një dyqan ushqimesh në Buffalo në Nju Jork; 21 viktima në një shkollë fillore në Uvalde, Teksas dhe katër persona në një spital në Tulsa, Oklahoma. Brenda këtij viti kanë ndodhur 240 ngjarje të tilla me të shtëna masive armësh në SHBA, ndërsa presioni mbi qeverinë për të frenuar dhunën është shtuar. Presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje Kongresit të ndalojë armët, të zgjerojë kontrollet dhe të zbatojë masa të tjera të kontrollit të armëve për të ndryshuar situatën.

SHARE