KËRCËNIMI I RI / NATO: INTERNETI DHE KABLLOT E ENERGJISË, “THEMBRA E AKILIT”…

Perëndimi dhe NATO po përballen me një kërcënim të ri, pasi rrjetet e mëdha të të dhënave nënujore dhe transmetimit të energjisë janë të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve dhe sulmeve të jashtme keqdashëse.

Ky kërcënim është kritik pasi këto rrjete janë të prekshme ndaj sulmeve jo vetëm nga shtete si Rusia, por edhe nga sulme të pakontrolluara terroriste ose kriminale.

Alarmin e dha oficer i lartë i NATO-s, zëvendës-admirali Didier Malleterre, në një intervistë për The Guardian, i cili paralajmëroi se kabllot dhe tubacionet kritike nënujore janë në rrezik.

Zëvendësadmirali, tha se ka aktivitete të dyshimta dhe raste dëmtimi që ngrenë alarmin për kërcënimet e mundshme nga Rusia dhe që vendet e NATO-s po përdorin Softuer të inteligjencës artificiale, sensorë dhe më shumë për të mbrojtur rrjetet e cenueshme nënujore, pasi rrezikohet siguria e 1 miliard qytetarëve të vendeve anëtare të Aleancës.

Sipas tij, NATO ka identifikuar disa raste të aktivitetit të dyshimtë rreth infrastrukturës nënujore në vitet e fundit dhe shtoi se rusët “kanë zhvilluar shumë luftën hibride nën det për të prishur ekonominë evropiane”.

Duke qenë se 95% e internetit në botë transportohet përmes rrjeteve nënujore, është i dukshëm ndikimi masiv që ndërhyrja e dhunshme dhe ndërprerja e trafikut të të dhënave do të kishte në ekonominë globale dhe në të gjitha fushat e jetës, madje edhe në kryerjen e operacioneve ushtarake.

Gjatësia prej mijëra kilometrash kabllo nënujore e bën atë të pambrojtur si sistem dhe i jep përparësi kujtdo që kërkon të dëmtojë këto rrjete. Në një kohë të tensioneve në rritje, vendet e NATO-s po detyrohen të skanojnë gjerësisht ujërat e tyre duke përdorur sensorë, satelitë dhe madje edhe pajisje nënujore për të zbuluar lëvizjet e dyshimta dhe për të mbrojtur rrjetet nënujore.

Më 16-17 prill, një takim i madh midis përfaqësuesve të industrive të teknologjisë së lartë dhe kompanive dhe qeverive u mbajt në selinë e NATO-s në Bruksel për të diskutuar sfidat detare.

Qëllimi i Simpoziumit të Industrisë Dixhitale të Oqeanit ishte forcimi i aftësive të NATO-s për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e rrjeteve të komunikimit detar, të cilat janë kritike për sigurinë e rajonit Euro-Atlantik, me kapitullin më të rëndësishëm mbrojtjen e infrastrukturës nënujore

SHARE