VJOSA OSMANI ZGJIDHET PRESIDENTE E KOSOVËS

Me 71 vota për, kuvendi më 4 prill, zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.

Osmani fitoi në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë.

Në këtë seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe. Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia mundësoi ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë.

Osmani, 38-vjeçare, ishte kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit, parti kjo që udhëheq edhe me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.

Në adresimin e saj të parë pas zgjedhjes, Osmani tha para deputetëve se ky post e mvesh atë me përgjegjësi të madhe.

“Sot është dita kur vullneti juaj (i qytetarëve) i shprehur më 14 shkurt po jetësohet”, tha Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit, ishte personi më i votuar, duke siguruar mbi 300 mijë vota.

SHARE