HARADINAJ REAGON PASI PROKURORIA E MALIT TË ZI NGRITI AKTAKUZË NDAJ KRYETARIT TË KOMUNËS SË TUZIT, NIK GJELOSHAJ

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi Prokuroria Themelore e Shtetit në Podgoricl, ngriti aktakuzë ndaj Kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.

“Nik Gjeloshaj, kryetari i Tuzit sot ballafaqohet me një aktakuzë për rezistencë. Të linçohet një kryetar në shekullin 21 në mes të Evropës, vetëm se ngriti zërin për të drejtën e qytetarëve të cilët i përfaqëson, është e papranueshme,” thekson Haradinaj.

“Kjo rezistencë për të drejtat e shqiptarëve sot, është rezistencë e të gjithë neve kundër regjimeve që persekutojnë, shtypin dhe mohojnë vlerat euro-atlantike. Kosova dhe Mali i Zi janë vende mike që së bashku rrugëtojnë drejt integrimeve evropiane. Andaj, së bashku duhet t’i rezistojmë çdo tendence që ka për qëllim pengimin e kësaj rruge, qoftë edhe kur shpërfaqet në persekutimin e liderëve lokal që mbrojnë të drejtat e shqiptarëve apo vlerave që ne përfaqësojmë,” thuhet në reagimin e Haradinajt.

SHARE