Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në takim kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiral Rob Bauer. Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Presidenti Begaj e falënderoi Admiralin Bauer për vizitën në Shqipëri “në këtë kohë sfidash për paqen dhe sigurinë në hapësirën euro-atlantike, si pasojë e agresionit të paligjshëm të Rusisë ndaj Ukrainës”. “Presidenti Begaj vlerësoi Admiralin Bauer për drejtimin me vizion dhe përkushtim të Komitetit Ushtarak dhe kontributin që Komiteti Ushtarak jep në drejtim të përshtatjes dhe forcimit të kapaciteteve dhe kohezionit të aleancës. Kreu i shtetit bëri me dije se, Shqipëria mbetet e angazhuar në misione dhe operacione të NATO-s, ka rritur kontributet për vitin 2023 në KFOR dhe është e gatshme për rritjen e tyre nëse do të jetë e nevojshme. Shqipëria qëndron në krah dhe do vijojë të mbështesë Ukrainën në aspektin politik, diplomatik dhe ushtarak”, thuhet në njoftim. Më tej theksohet se Presidenti Begaj vlerësoi angazhimin e NATO-s në rajon dhe rolin e misionit të KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe sigurisë. “Shqipëria mbështet dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe mbështetur nga SHBA-ja në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare që do çojë në njohje reciproke. Presidenti Begaj theksoi se Kosova që nga viti 2008 është e pavarur dhe me vizion të qartë euro-atlantik dhe në këtë kontekst mbështet një bashkëpunim akoma më të ngushtë dhe thelluar me NATO-n”, thuhet në njoftim. Gjithashtu në njoftim thuhet se Presidenti Begaj diskutoi edhe lidhur me sulmin kibernetik “të sponsorizuar nga Irani ndaj Shqipërisë dhe vlerësoi bashkëpunimin me NATO-n për rikuperimin nga ky sulm”.