LAJÇAK: TË GJITHA MARRËVESHJET E NËNSHKRUARA NË BRUKSEL DUHET TË ZBATOHEN

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se gjatë takimit në Prishtinë kanë diskutuar “gjithçka” që lidhet me dialogun. Lajçak tha para gazetarëve më 6 shkurt se diskutimi ka qenë i përqendruar te plani evropian. Ai përsëriti qëndrimin se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen. Ai tha se vizita e tij është në kuadër të diskutimeve për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, dhe se që nga shtatori kjo është vizita e dhjetë e tij në Prishtinë. Në takimin me emisarin evropian Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Pas qëndrimit në Prishtinë, Lajçak do të udhëtojë për takime në Beograd.

SHARE