REFUZOHET INICIATIVA E SERBËVE LOKAL PËR SHKARKIMIN E KRYETARËVE SHQIPTARË NË KOMUNAT ME SHUMICË SERBE

Një grup i qytetarëve nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës kanë tentuar të dorëzojnë kërkesë për shkarkimin e kryetarëve aktual të katër komunave me shumicë serbe, atë të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit.

Sipas tyre, kjo kërkesë bazohet në pretendimet për “mosveprimin e kryetarëve dhe vendimet e tyre të njëanshme”.

Megjithatë, kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, tha për Anadolu se nuk e kanë pranuar këtë kërkesë, duke theksuar se kërkesa për peticion nuk është paraqitur në mënyrën e drejtë.

“Nuk e kam parë atë grup qytetarësh, nuk kanë ardhur tek unë, nuk kanë folur me mua, nuk e di se kujt i janë drejtuar. Kërkesa nuk më është dorëzuar as mua si kryesues i Kuvendit të Komunës, as kryetarit të Komunës. Nuk e dimë se për çfarë bëhet fjalë. Ata vetë e krijuan konfuzionin, sepse ata kanë nevojë për të tani, kur po afrohen zgjedhjet në Serbi”, tha Uglanin.

Ai thekson se nuk është zbatuar procedura sipas Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës për iniciativën qytetare për zëvendësimin e kryetarit.

“Ata janë të obliguar që në pajtim me Udhëzimin Administrativ që së paku tri ditë më parë ta informojnë kryetarin për fillimin e iniciativës”, shtoi Uglanin.

Kryetarët shqiptarë të katër komunave veriore me shumicë të popullatës serbe, të cilët u zgjodhën me vota në zgjedhjet lokale të prillit 2023, u vendosën në objektet komunale nga fundi i majit, hap që nxiti kundërshtim dhe protesta të serbëve lokal.

Institucionet e Kosovës janë deklaruar kundër kërkesave për dorëheqje të kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës dhe kanë thënë se zgjedhjet në këto komuna do të mund të mbahen vetëm pas organizmit të një peticioni me të cilin kryetarët do të mund të largoheshin nga detyra.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, muaj më parë ka thënë se çfarëdo kërkese tjetër për largimin e kryetarëve në veri, përveç me peticion, është kërkesë e Serbisë dhe si e tillë nuk do adresohet.

Ligji për Vetëqeverisje Lokale në Kosovë specifikon se në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje, në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse apo në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj pa arsye.

SHARE