KURTI FTON QYTETARËT SERBË NË KOSOVË TA RUAJNË QETËSINË, PAQEN DHE SIGURINË

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë, pas vendimit të partisë Lista Serbe për largim nga institucionet kosovare.

Kryeministri Kurti në reagimin e tij në rrjetet sociale, tha se ai nuk është kryeministër kundër serbëve të Kosovës, por Beogradi është kundër tij.

“Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet im janë luftimi i korrupsionit, drejtësia dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje. Mos i bojkotoni ose braktisni institucionet e Kosovës. Ato na shërbejnë të gjithë neve, çdonjërit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, ka shkruar Kurti duke bërë thirrje për përmbajtje në vlerat demokratike dhe evropiane në sundimin e ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave si dhe pluralizmit politik.

Sipas kryeministrit Kurti, në kuadër të vendimit me tri faza të Qeverisë së Kosovës për legalizimin e targave ilegale KM, PR, etj. në ato “RKS”, deri më tash janë dhënë 843 qortime dhe nuk ka pasur asnjë incident e po ashtu nuk është regjistruar as edhe një ankesë.

Kurti tha se Lista Serbe, e cila deklaroi sot dorëheqjen nga institucionet e Kosovës pas një vendimi në Komunën e Zveçanit, para një javë kanë thënë se do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave nga Qeveria e Kosovës “mirëpo nuk e pritën 21 nëntorin: Beogradi nisi kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës. Prandaj, diçka tjetër është në pyetje”.

“Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët. Ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish zëdhënësi i partisë së Millosheviqit, tash ministër i Jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish-ministri i informatave të Millosheviqit, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet”, shkroi Kurti.

Ai tha se me Marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit 1999, Serbia ka kapitulluar dhe i ka thënë lamtumirë Kosovës dhe se për këtë “nuk ka nevojë të humbim kohë e të vazhdojmë të vonohemi edhe në vitin 2022”.

“Duke e përkrahur Millosheviqin dhe Sheshelin para çerek shekulli e keni lënë Kosovën. Duke e përkrahur Putinin e Lavrovin sot, po e lini Evropën”, përfundoi Kurti.

Gjatë ditës së sotme Lista Serbe njoftoi se kanë dhënë dorëheqje nga pozitat në Qeverinë e Kosovës, nga pozitat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe të gjitha institucionet në katër komunat me shumicë serbe në veri, përfshirë gjyqësorin, prokurorinë dhe policinë.

Pas këtij vendimi, Policia e Kosovës njoftoi se në vazhdimësi po i përcjellë zhvillimet në veri të Kosovës dhe me vlerësime profesionale do të marrë masat e nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për t’u përballur me situatën e sigurisë dhe reagimin profesional në rast të cenimit të sigurisë qytetare apo rendit kushtetues.

Dorëheqja e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës vjen pas vendimit me tri faza të Qeverisë për targat dhe pas suspendimit nga institucionet kosovare të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë.

Qeveria e Kosovës mori vendim që prej 1 nëntorit deri më 21 nëntor veturat me targa ilegale që ende qarkullojnë në territorin e Kosovës do të marrin fleta qortuese në kuadër të fazës së parë të vendimit. Në fazën e dytë, Qeveria parasheh që nga 21 nëntori, deri më 21 janar 2023 të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë më targa tjera përpos atyre “RKS”.

SHARE