Kandidati demokrat, Joe Biden, mori hov të madh në zgjedhjet presidenciale në SHBA pas parashikimeve për fitoren e tij në Miçigen dhe Uiskonsin. Megjithatë, numërimi i votave vazhdon në disa shtete kyçe, duke e lënë të paqartë rezultatin edhe dy ditë pas zgjedhjeve. Me 16 votat elektorale të Miçigenit dhe 10 të Uiskonsinit, Biden ka 253 vota elektorale, përballë presidentit Donald Trump me 214 vota elektorale. Fitimet në Arizona dhe Nevada – dy shtete të vëzhguara nga afër në mesin e atyre që ende numërojnë – do t’i jepnin Bidenit 270 votat e nevojshme elektorale. Fitoret e Bidenit në Miçigen dhe Uiskonsin e lanë Trumpin, i cili i fitoi të dyja këto shtete në vitin 2016, me më pak mundësi për të fituar. Fushata e Trumpit tha se do të kërkojë rinumërim të votave në disa qarqe të Uiskonsinit, edhe pse ekspertët zgjedhorë thonë se margjina e fitores normalisht është e vështirë për t’u kapërcyer në rinumërim. Biden kryeson në Uiskonsin me 49.6 për qind, kundrejt Trumpit me 48.9 për qind. Një kandidat mund të kërkojë rinumërim nëse margjina e fitores është më pak se 1 për qind. Pas parashikimeve për fitore në Miçigen, Biden tha se pret që t’i fitojë zgjedhjet.