Dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, u përkujtua sot përmes një ekspozite të Arkivit të Shtetit të çelur në presidencë.
Për të nderuar shenjtoren, edhe si një figurë përbashkuese të kombit shqiptar, presidenti i Republikës Bajram Begaj, priti homologen nga Kosova, Vjosa Osmani.
“Kjo ekspozitë është një udhëtim në faqet e historisë të jetës së saj personale por edhe njerëzve në përgjithësi, duke e ditur që ajo ishte e të gjithëve edhe për të gjithë, trashëgimia e saj vijon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë globin”, tha Osmani.
“Kjo ekspozitë shërben si një kujtim për ndryshimin e madh që një individ i vetëm mund të bëjë kur udhëhiqet nga dashuria dhe një ndjenjë e thellë mirësie. Veprat e Nënë Terezës mes të varfërve dhe të margjinalizuarve, dashuria e saj për të vuajturit dhe përpjekjet e saj të mëdha për t’ju dhënë shpresë atyre në mjerim vazhdojnë të frymëzojnë brezat” – u shpreh Presidenti Begaj.
Prania e arqipeshkvit të Dioqezës Tiranë-Durrës, imzot Arjan Dodajt dhe e përfaqësuesve të misionit të Nënë Terezës në Shqipëri, rikujtoi sërish misionin e bamirëses së përbotshme, kudo ku pati më shumë nevojë. E rikujtojnë po ashtu edhe dokumentet e Arkivit, humanizmin e saj.
Në dorëshkrimet që ekspozohen , kryesisht janë letra të nisura përgjatë viteve ’80, ku dëshmohet atdhedashuria e saj. Njëherazi pasqyrohet edhe vizita e saj e parë në ’89-ën në vend, e më tej nderimet që i janë bërë prej qeverisë sonë ndër vite.