Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka shkarkuar gjashtë ministra dhe i ka propozuar zëvendësuesit e tyre, në një ndryshim rrënjësor të kabinetit qeveritar shqiptar të hënën, në pritje të dekretimit nga presidenti Bajram Begaj.
Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë së tij Socialiste më 4 shtator, Rama i bëri të ditur edhe për krijimin e një ministrie të re. Ai do t’ia paraqesë për dekretim këto ndryshime presidentit Bajram Begaj të martën.
Gjatë një fjalimi Rama theksoi se “nuk u ka borxh asnjë prej zyrtarëve socialistë që futen në telashe me drejtësinë”, dhe se asnjë prej tyre nuk duhet të fshihet pas flamurit të partisë që ai drejton.
Rama e shkarkoi ministren e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, dhe propozoi emërimin e Igli Hasanit në vend të saj, ish-ambasadorit të Shqipërisë në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Vjenë.
Largimi i Xhaçkës vjen në kohën kur Shqipëria sapo ka marrë presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Gjithashtu, u shkarkua nga detyra ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca. Ajo do të zëvendësohet nga Anila Denaj, e cila më herët ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar si ministre e Ekonomisë dhe Financave.
Delina Ibrahimaj nuk do të jetë më ministre e Financave dhe Ekonomisë, pasi u emërua ministre e Shtetit për Sipërmarrjen, duke zënë vendin e Edona Bilalit, që u shkarkua nga ky post sot.
Në krye të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të vijë Ervin Mete, i cili ka qenë më herët zëvendësministër i Financave, dhe aktualisht drejtues i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor u shkarkua nga detyra ministrja e Arsimit, Evis Kushi, për t’u zëvendësuar me Ogerta Manastirliun.
Ndërkaq, vendin e lënë bosh prej saj në krye të Ministrisë së Shëndetësisë e zë Albana Koçiu, aktualisht drejtoreshë e Departamentit të Administratës Publike.
Rama vendosi ta shkrijë Ministrinë e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, që drejtohej nga Milva Ekonomi, në një ministri të re; Ministrinë e Shtetit për Marrëdhëniet me Pushtetin Vendor, që do të drejtohet nga Arbjan Mazniku, aktualisht nënkryetar i bashkisë së Tiranës.
Kryeministri tha se “kryebeteja e PS” është Shqipëria evropiane.