KOSOVË, PËRSËRI PROTESTË PËR RASTIN E DHUNIMIT TË 11-VJEÇARES

Qindra qytetarë kanë marrë pjesë në protestë para Qeverisë së Kosovës për të kërkuar drejtësi për rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje muajin e kaluar në Prishtinë.  Me thirrjet “Shkarkoni gjyqtarët patriarkalë”, “Policët participues në krim”, “Gra, armatosuni”, “Shteti i ka duart me gjakun e grave”, protestuesit parashtruan disa kërkesa. Protestuesit thanë se përdhunimi i vajzës 11-vjeçare nga pesë djem dhe burra nuk mund të tejkalohet me vetëm dy shkarkime, dorëheqje e lojë fajësimesh mes institucioneve. “Neglizhenca e shtetit është duke ua rrezikuar dhe më tej vajzat dhe gratë në Kosovë, sidomos atyre të mitura. 85 për qind të viktimave të dhunës seksuale në periudhën 2019-2021 kanë qenë të mitura sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës. Tutje, raporte kanë treguar se gjykatat vendore kanë dhënë dënime nën minimumin e lejuar me ligj në më shumë se gjysmën e rasteve të dhunës seksuale”, thanë organizatorët e protestës. Protestuesit parashtruan si kërkesë legalizimin e përdorimit të gazit irritues për vetëmbrojtje, shkarkimin e zyrtarëve policorë të lidhur me rastin, krijimin e një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në Polici, siguri, drejtësi dhe rehabilitim i të mbijetuarave të dhunës seksuale si dhe shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

SHARE