BRITANIA DHE FRANCA DO TË NDIHMOJNË MALIN E ZI PËR SHKAK TË SULMEVE KIBERNETIKE

Britania e Madhe do t’i ofrojë ndihmë Malit të Zi në tejkalimin e situatës së vështirë të shkaktuar nga sulmet kibernetike në infrastrukturën digjitale të shtetit të Malit të Zi, tha ministri i Administratës Publike Marash Dukaj, i cili u takua me ambasadoren e Britanisë së Madhe në Mal të Zi, Karen Maddox. “Sot fola me ambasadoren e Britanisë së Madhe në Mal të Zi, Karen Maddox, për detajet teknike për konkretizimin e ndihmës që Britania e Madhe do t’i japë Malit të Zi në tejkalimin e situatës së vështirë të shkaktuar nga sulmet kibernetike në infrastrukturën dixhitale të shtetit të Malit të Zi“, ka shkruar Dukaj në Twitter. Ekspertët nga Mbretëria e Bashkuar, thekson ai, do të ndihmojnë kolegët nga Mali i Zi drejtpërdrejt në terren dhe gjithashtu do të zbatojnë një program arsimor special. „Ndihma e partnerëve të fortë është vendimtare!”, ka shkruar Dukaj. Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, është takuar sot edhe me ambasadorin e Francës në Mal të Zi, Christian Timonie, ku potencuan mbështetjen e Francës që ti japë Malit të Zi, në mbrojtje kundër sulmeve kibernetike. “Sot fola me ambasadorin Christian Timonie për ndihmën që ofron Republika e Francës Malit të Zi në mbrojtje kundër sulmeve kibernetike ndaj të cilave jemi ekspozuar në periudhën e kaluar. I jam mirënjohës ambasadorit dhe Qeverisë mike të Francës që reaguan shpejt dhe me efikasitet,“ shkroi Dukaj.

SHARE