Bashkësia e Komunave të Malit të Zi, ka kërkuar nga të gjitha komunat mendim mbi Projektligjin për Financimin e Pushtetit Lokal, i cili parashikon rritjen e transferimit të tatimit mbi të ardhurat personale në komunat e rajonit verior nga 12% në 50%.
Nga Bashkësia e Komunave, për agjencinë “MINA” thane se Ligji për Financimin e Pushtetit Lokal është jashtëzakonisht i rëndësishëm për punën dhe funksionimin e komunave.
“Pas marrjes së mendimeve, sugjerimeve dhe vërejtjeve nga komunat, të cilat i presim javën e ardhshme, Komisioni për financimin qeverisjeve lokale, si organi kompetent i punës së komunave, do t’i shqyrtojë propozimet, vërejtjet dhe opinionet e marra nga komunat “, kumtohet nga Bashkësia e Komunave të Malit të Zi.
Pas dhënies së opinioneve të tyre, siç kanë theksuar, Bashkësia e Komunave do të përcaktojë qëndrimin e përbashkët, gjegjësisht deklaratën që do t’ia dorëzoi Ministrisë së Financave, si procedues të ligjit.
Për komunat që kanë deri në tre mijë banorë, me këtë, Projektligj, është parashikuar transferimi prej 70 përqind të atij tatimi. Nga Ministria e Financave më parë kumtuan se të ardhurat e buxhetit të shtetit do të reduktohen për 10 milionë euro në vit për shkak të një rritje të përqindjes së transferimit të të ardhurave nga tatimet mbi të ardhurat personale tek komunat në rajonin verior. Po për aq do të rritën edhe të ardhurat e komunave që i përkasin atij rajonit.