Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit mund të arrihet “nesër ose pasnesër”, duke theksuar se është shënuar përparim në bisedimet me Iranin.
Sipas tij, pala iraniane ka shprehur gatishmëri për dialog dhe për arritjen e një marrëveshjeje, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të konfliktit.
Mediat amerikane raportojnë se Shtetet e Bashkuara, Irani dhe Omani janë pranë një marrëveshjeje të përkohshme që do të mundësonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës.
Trump paralajmëroi se nëse Irani tërhiqet sërish nga marrëveshja, do të përballet me pasoja të rënda.
Ndërkohë, Katari bëri të ditur se ndërmjetësuesit kanë shënuar përparim në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, ndërsa Omani vazhdon të ndërmjetësojë bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit konfirmoi se diskutimet me Omanin kanë qenë pozitive dhe janë përqendruar në krijimin e korridoreve të sigurta për lundrim, duke respektuar interesat dhe sigurinë e të dy vendeve.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë.
Për shkak të konfliktit, qarkullimi detar në këtë zonë është kufizuar ndjeshëm, ndërsa sulmet në rajon kanë shkaktuar viktima dhe dëme në anije tregtare.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare, që nga fillimi i luftës janë regjistruar dhjetëra incidente në këtë korridor detar, ndërsa Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë raportuar gjithashtu humbje në njerëz si pasojë e përplasjeve ushtarake.









