Foto: Ministria e Mirëqenies Sociale, Kujdesit për Familjen dhe Demografisë / Ministarstvo socijalnog staranja, brige o porodici, i demografije
Në Guci është inauguruar një objekt i ri shumëfunksional që do të ofrojë shërbime sociale dhe publike për qytetarët.
Objekti u hap nga Ministria e Mirëqenies Sociale, Kujdesit për Familjen dhe Demografisë, në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Komunën e Gucisë.
Në këtë qendër do të vendosen njësitë lokale të Qendrës për Punë Sociale, Entit të Punësimit, Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, si dhe Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Gjithashtu, objekti do të ofrojë shërbimin e qëndrimit ditor për persona të rritur dhe të moshuar me aftësi të kufizuara, si dhe për ata që kanë nevojë për mbështetje në jetën e përditshme.
Ministri Damir Gutiq theksoi se objekti nuk është vetëm një investim infrastrukturor, por një hap drejt ofrimit të shërbimeve më të afërta, më efikase dhe më cilësore për qytetarët. Ai shtoi se investimet e tilla përmirësojnë sigurinë, dinjitetin dhe cilësinë e jetës së banorëve.
Përfaqësuesja e përhershme e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Mal të Zi, Ekaterina Paniklova, tha se bashkëpunimi me ministrinë do të vazhdojë përmes reformave në sistemin e mbrojtjes sociale, ndërsa kryetari i Komunës së Gucisë, Sanel Baliq, e cilësoi projektin si një nga investimet më të rëndësishme për komunën.
Qeveria e Malit të Zi ka investuar rreth 516 mijë euro për ndërtimin dhe pajisjen e objektit me sipërfaqe prej 280 metrash katrorë, ndërsa komuna ka siguruar truallin për ndërtim.
Autoritetet vlerësuan se ky projekt përfaqëson një shembull të suksesshëm të bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore, pushtetit lokal dhe partnerëve ndërkombëtarë, me synim përmirësimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet sociale.










