SHBA-ja PROPOZON PROJEKTLIGJ DYPARTIAK PËR TË LUFTUAR KORRUPSIONIN NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Një grup senatorësh amerikanë, nga të dy krahët, paraqitën një projektligj që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, tregtinë, si dhe të luftojë korrupsionin, përfshirë hartimin e legjislacionit të posaçëm për sanksionet, për të frenuar aktivitetet destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Projekligji, i njohur ndryshe si Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor është paraqitur nga senatorja demokrate Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin mbi Sigurinë Rajonale dhe senatori republikan Roger Wicker. Iniciativa vjen mes shqetësimesh të rritura në rajon për shkak të luftës në Ukrainë. Senatorja Shaheen tha se marrëdhëniet e SHBA-së me Ballkanin Perëndimor janë thelbësore në këto momente, ku duken qartë synimet e presidentit rus, Vladimir Putin, për të përhapur ndikimin keqdashës në të gjithë Evropën Lindore. “Projektligji i ri dypartiak forcon tregtinë dhe investimet mes SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke luftuar në të njëjtën kohë korrupsionin, nëpërmjet miratimit të një legjislacioni të posaçëm për sanksione kundër aktorëve destabilizues. Të gjitha këto hapin rrugën për një integrim më të gjerë euro-atlantik”, tha Shaheen në prezantimin e iniciativës në faqen e saj në internet. Projektligji udhëzon sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, të ofrojë ndihmë teknike për çdo vend të Ballkanit Perëndimor për të zhvilluar një strategji kombëtare kundër korrupsionit. Ai parashikon, gjithashtu, kthimin në ligj të dy urdhra ekzekutivë, që do të garantonin kompetenca për sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe që janë të përfshirë në akte korruptive.

SHARE