Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria e Malit të Zi, në mbledhjen e drejtuar nga kryeministri Millojko Spajiq, miratoi projektligjin për llogarinë përfundimtare të buxhetit për vitin 2025.
Sipas qeverisë, rritja e të ardhurave buxhetore dëshmon aktivitet të fortë ekonomik, ulje të ekonomisë informale dhe përmirësim të disiplinës tatimore.
Të ardhurat aktuale të buxhetit arritën në 2,81 miliardë euro, ose 1,06% më shumë se sa ishte planifikuar, duke përbërë 34,3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). PBB-ja nominale për vitin 2025 vlerësohet në 8,17 miliardë euro.
Nga ana tjetër, shpenzimet buxhetore arritën në 3,19 miliardë euro (39% e PBB-së), ndërsa deficiti buxhetor ishte 313,7 milionë euro, ose 3,8% e PBB-së.
Qeveria theksoi se masat e Strategjisë Fiskale, si falja e kamatave të detyrimeve, zgjerimi i produkteve me akcizë, vendosja e një norme të re të TVSH-së në turizëm dhe forcimi i mbledhjes së tatimit mbi të ardhurat, kanë dhënë rezultate pozitive dhe kanë krijuar bazë të qëndrueshme për rritjen ekonomike në të ardhmen.









