GJERMANIA DHE FRANCA PROPOZOJNË INTEGRIM GRADUAL TË BALLKANIT PERËNDIMOR NË BE

Foto: Euronews Albania

Gjermania dhe Franca kanë paraqitur një “non-paper” (dokument joformal) në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, duke propozuar integrim gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë në programet dhe politikat e Bashkimit Evropian.

Qëllimi i nismës është përshpejtimi i procesit të zgjerimit dhe dhënia e një shtyse të re reformave në vendet kandidate, përmes përfshirjes më të hershme në përfitimet e BE-së.

Dokumenti franko-gjerman, i mbështetur nga kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron, propozon që vendet kandidate të përfshihen gradualisht në tregun e përbashkët, në institucione si vëzhgues dhe në politika të BE-së, në varësi të përparimit të reformave.

Sipas propozimit, ky model nuk zëvendëson anëtarësimin e plotë, por synon ta bëjë procesin më të shpejtë dhe më të prekshëm për qytetarët, duke u bazuar në parimin “reformat sjellin përfitime”.

Në samit, liderët theksuan se zgjerimi i BE-së është i ngadalshëm dhe se nevojiten ide të reja për ta përshpejtuar procesin.

U theksua gjithashtu se Ballkani Perëndimor ka perspektivë evropiane, por duhet të vazhdojë reformat, ndërsa edhe vetë BE-ja duhet të përgatitet për zgjerim.

Vendet e rajonit janë në faza të ndryshme të integrimit, ku Mali i Zi dhe Shqipëria janë më të avancuara, ndërsa Kosova mbetet i vetmi vend pa status kandidat.

SHARE