POLICIA NGRITI NIVELIN E VËMENDJES, E DIELA ËSHTË DITË ZIE

Pas vrasjeve masive në Serbi, policia malazeze ngriti nivelin e vëmendjes, tha ministri i Punëve të Brendshme, Filip Axhiq, në një konferencë për punën e Qeverisë në vitin e kaluar.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, ai tha gjithashtu se janë forcuar kontrollet për mbajtjen e armëve dhe dhënien e lejeve.

Ministri Axhiq thotë se MPB-ja edhe para tragjedisë në Serbi kishte tentuar ta përgatisë sistemin.

Ministri pati edhe një mesazh për qytetarët.

“Besoj jemi më të përgatitur dhe se si qytetarë duhet të bëjmë shumë më tepër dhe të sillemi më me përgjegjësi”, ka përfunduar Axhiq.

Për shkak të tragjedive në Serbi, Qeveria shpalli 7 majin ditë zie, tha kryeministri Dritan Abazoviq.

“Mali i Zi është me Serbinë dhe qytetarët e saj në këto momente të vështira, tragjike. Ne u dërgojmë ngushëllimet tona familjeve të viktimave, ndërsa të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë dhe të lehtë”, shkroi Abazoviq në Twitter.

Sot në ora 18:00 shoqata “Prindërit” Kryeqyteti Podgorica kanë organizuar homazhe për viktimat e tragjedisë në Beograd në Sheshin e Pavarësisë në Podgoricë.

SHARE