ODIHR: FORMOHET MISIONI VËZHGUES PËR ZGJEDHJET PARLAMENTARE

Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) formoi një mision për të vëzhguar zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Mal të Zi, i cili do të përbëhet nga 11 ekspertë ndërkombëtarë, 12 afatgjatë dhe 100 vëzhgues afatshkurtër.

Shefja e misionit të ODIHR-it, Nina Suomalainen, tha se me ftesë të autoriteteve malazeze do të monitorojë zgjedhjet parlamentare. Siç tha ajo, ekipi kryesor është i vendosur në Podgoricë, ku kanë krijuar një zyrë të përkohshme për afërsisht shtatë javët e ardhshme.

“Dymbëdhjetë vëzhgues afatgjatë do të mbërrijnë më 11 maj, kur ata do të marrin një informim nga ekipi kryesor përpara se të dërgohen në të gjithë vendin në ekipe prej dy vetash. Njëqind vëzhgues afatshkurtër do të jenë këtu në ditën e zgjedhjeve”, tha Suomalainen.

Ajo tha se vëzhguesit afatshkurtër do të vëzhgojnë në mënyrë sistematike zbatimin e procedurave, votimin, tabelimin e të dhënave në vendvotimet.

“Në vetë ditën e zgjedhjeve, një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe përfaqësues të Parlamentit Evropian, do të bashkohen me ne për të formuar një mision ndërkombëtar vëzhgimi të zgjedhjeve”, tha Suomalainen.

SHARE