Një betejë e përgjakshme po zhvillohet në Azovstal, fabrika e celikut që është kthyer në pikën e fundit të qëndresës në qytetin e shkatërruar port të Mariupolit. Luftimet e ashpra kanë rifilluar atje mes forcave ruse dhe mbrojtësve të fundit ukrainas të Mariupolit. Pavarësisht përpjekjeve për evakuimin e civilëve, qindra të tillë kane mbetur në kompleks, përfshirë edhe 30 fëmijë. “Armiku ka hyrë në territorin e fabrikës prej dy ditësh. Jam krenar për ushtarët e mi, sepse po bëjnë përpjekje mbinjerëzore për t`i mbajtur trupat ruse larg”, tha komandanti i bataljonit Azov, Lt. Col. Denys Prokopenko. “Situata është jashtëzakonisht e vështirë, një punëtor i fabrikës i ka treguar rusëve derën e tuneleve nëntokësore. Jemi të shqetësuar, por do të vazhdojmë të luftojmë.” Rusia thotë se do ta ndalë sulmin në Azovstal dhe do të nisë sot një armëpushim tre ditor. Pushimzjarret e mëparshme në këtë luftë, megjithatë, nuk kanë pasur rezultate bindëse. Fabrika, e vendosur në jug të qytetit port të Mariupol, është skena e një qëndrese të fundit të dëshpëruar kundër forcave pushtuese të Moskës, Deri përpara disa kohësh, Azovstali ishte lojtar kyc në skenën globale, duke prodhuar 4 milionë tonë çelik në vit, shumica e të cilit eksportohej. Pronari i tij, Metinvest Holding, prodhuesi më i madh i çelikut në Ukrainë, thotë se nga qiellgërvishësi Shard i Londrës te Hudson Yards në Manhattan e Ura San Giorgio e Gjenovës, e cila zëvendësoi urën e shembur Morandi, çeliku i prodhuar në Azovstal është përdorur në disa nga monumentet më të njohura në botë. Tani, të paktën 150 punonjës të fabrikës janë vrarë e shumë të tjerë mbeten të pagjetur, thotë Yuriy Ryzhenkov, CEO i Metinvest Holding. Para luftës, uzina punësonte 11,000 njerëz, kujton ai, ndërsa stafi i kompanisë përfshinte dinasti familjare që kanë prodhuar çelik brez pas brezi.