BORRELL: MARRËVESHJA PËR PERSONAT E ZHDUKUR NË LUFTË MIRATOHET NË TAKIMIN E ARDHSHËM TË LIDERËVE

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell ka thënë se pajtimi i kryenegociatorit kosovar dhe atij serb të martën për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur, është hapi i parë drejt përmbushjes së zotimeve që të dyja vendet kanë dhënë me marrëveshjen e arritur në shkurt në Bruksel dhe aneks-marrëveshjen e marsit në Ohër.

Borrell në rrjetet sociale tha se BE-ja pret që palët të respektojnë të gjitha obligimet dhe sa më shpejtë të fillojnë me zbatimin e marrëveshjeve.

“Serbia dhe Kosova janë zotuar në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin. BE-ja pret nga të dyja palët që t’i respektojnë të gjitha obligimet dhe të fillojnë sa më shpejt zbatimin. Palët duhet të evitojnë çdo përshkallëzim të mundshëm. Përkthimi i përkushtimeve në rrugët e tyre evropiane po vazhdon”, shkruan Borrell.

Ai tha se marrëveshja e arritur midis kryenegociatorëve këtë javë për të zhdukurit e luftës në Kosovë, do të miratohet në nivel të liderëve në takimin e ardhshëm.

“Marrëveshja që është arritur për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë atë në nivel të liderëve në takimin e radhës të nivelit të lartë të cilin do ta organizoj”, shtoi Borrell.

Më 4 prill në Bruksel kryenegociatori i Kosovës për dialog me Serbinë, Besnik Bislimi u takua me atë serb, Petar Petkoviq.

Zëvendëskryeministri kosovar Bislimi tha pas takimit se ka dakordim që të ketë takim të liderëve, ndërsa Petkoviq u shpreh se janë dakorduar për deklaratën për “personat e pagjetur”.

SHARE