AEROPORTI NË BERANË DO TË PUNËSOJË QINDRA PUNËTORË

Kryeministri në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, tha se Aeroporti në Beranë do të punësojë qindra punëtorë nga ai qytet dhe rajoni dhe se Qeveria do t’i ndihmojë të gjithë njerëzit që do të duhet të largohen nga vendbanimet afër aeroportit. 

Në Beranë u nënshkrua memorandumi për valorizimin e Aero-Parkut të Beranës me kryetarin e Komunës Vuk Todoroviq dhe përfaqësuesin e Elite Private “Jet Service” Majko Shtejnmiller.

Duke folur për dhjetëra qytetarë, shtëpitë e të cilëve me shumë gjasa do të duhet të prishen, Abazoviq theksoi se nuk do t’i lërë në baltë.

“Shteti është i gatshëm t’i ndihmojë qytetarët në çdo mënyrë, nuk do t’i lëmë pa çati”, tha ai.

Kryetari i komunës, Todoroviq tha se hapja e Aero-Parkut do të jetë një nxitje e madhe për Beranën si qytet.  

Ai tha se së shpejti do të formohet një grup punues që do të merret me aspektet teknike. 

“Tani do të jetë më e lehtë për kompanitë e tjera që të vendosin të vijnë në Beranë”, tha Todoroviq.

Ndërsa, Shtejnmiller tha se ai jo vetëm që do të krijojë qindra vende pune për rajonin, por gjithashtu do të sjellë prodhim dhe teknologji të reja në Beranë.

SHARE