NESER PARAQITET STRATEGJIA E RE E ZGJERIMIT TË BALLKANIT PËRËNDIMOR

Muaji Shkurt duket se do të jetë mjaft intensiv sa i përket integrimit evropian të Malit të Zi dhe të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në tërësi.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogerini dhe Komisionari për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hann, do të paraqesë nesër një Strategji të re të Zgjerimit në Strasburg.

Siç është njoftuar, konferenca për media do të mbahet në Parlamentin Evropian , ndërsa transmetimi  i saj, do të organizohet në Qendrën e Informimit të BE-së në Podgoricë nëpërmjet Shërbimit Satelitor Evropian.

Në transmetimin e kësaj konferencë për shtyp, do të marrin pjesë përfaqësuesit e Delegacionit të BE në Mal të Zi, ambasadat e shteteve anëtare dhe përfaqësuesit e shoqërive civile, kumtuan nga Qendra e Informacionit të BE-së.

Dokumenti  me temë “Perspektiva e besueshme e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”,  do të përfshijë, sipas medieve, udhëzime të përgjithshme për një proces më të shpejtë të integrimit të të gjitha vendeve në rajon dhe datat më specifike të vlerësimit të arriturave në Mal të Zi dhe Serbi.

Sipas kornizës kohore indikative, të Komisionit Evropian, viti 2019 ,do të jetë vendimtar për vendet e Ballkanit Perëndimor.

SHARE