QEVERIA E KOSOVËS E HEQ REGJIMIN E LETRËS NGJITËSE PËR AUTOMJETET ME TARGA SERBE

Qeveria e Kosovës njoftoi të enjten vonë se ka vendosur ta shfuqizojë vendimin për vendosjen e letrës ngjitëse në automjetet me targa serbe.

Vendimi i Qeverisë kosovare vjen pasi Serbia vendosi t’i lejoi automjetet me targa RKS – Republika e Kosovës – të lëvizin lirshëm në territorin e saj nga fillimi i kësaj jave.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti tha se heqja e regjimit të letrës ngjitëse nga ana e saj “është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”.

Vendimi i saj do të hyjë në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendimi i marrë të enjten vonë për heqjen e regjimit të letrës ngjitëse për automjetet me targa serbe ka ardhur pasi Policia e Kosovës raportoi se vendimi i Serbisë për të lejuar targat RKS – Republika e Kosovës – të lëvizin lirshëm në territorin e këtij shteti, po zbatohet plotësisht.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti tha se nëse do të ketë ndryshim të qasjes nga autoritetet serbe, shteti i Kosovës do të veprojë.

“Nga raporti i policisë sonë e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë, dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa. Andaj, bazuar në parimin e reciprocitetit si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura, mbrëmë morëm vendim që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë”, tha Kurti, duke theksuar se ky fillon të zbatohet pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

“Në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, apo pengimin e lëvizjes së lirë në çfarëdo forme, ne do të njoftohemi me kohë dhe do të veprojmë”, ka shtuar Kurti.

SHARE