“MOMENT HISTORIK”- BETOHET KRYEBASHKIAKJA E PARË SHQIPTARE NË SHBA

Ambasada e Shqipërisë në SHBA ka njoftuar se Violetta Berisha është betuar si kryetare e bashkisë Fairview, në New Jersey.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ambasada thotë se ky është një moment historik për komunitetin shqiptar në SHBA.

“Dita e sotme shënon një moment historik për komunitetin Shqiptar në Amerikë. Violetta  Berisha u betua si Kryetarja e Bashkisë e Fairview, New Jersey. Urime Violetta Berisha, e para grua dhe Kryebashkiake shqiptare që merr këtë detyrë. Mirënjohje dhe krenari për arritjet e saj dhe komunitetit. Suksese në rrugëtimin tuaj.  Krenarë për arritjet e shqiptarëve kudo që janë”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka uruar për fitoren si kryebashkiakja e parë shqiptare në SHBA Violetta Berisha.

Presidenti Begaj e cilëson suksesin e saj “si një model frymëzimi dhe krenarie”.

“Urime Violetta Berisha për betimin si Kryetare e Bashkisë së Fairview, New Jersey. Ky është një moment historik jo vetëm për të, por edhe për komunitetin shqiptar në SHBA. Suksesi i saj si gruaja e parë shqiptare që merr një detyrë të tillë është një model frymëzimi dhe krenarie”, shkruan Presidenti Begaj në rrjetet sociale.

SHARE