222 PERSONA TË ZHDUKUR / TËRMETI NË JAPONI, MBYLLET ‘DRITARJA’ E SHPRESËS

Në motin e keq dhe rrugët e dëmtuara, ekipet e shpëtimit në Japoni kërkuan të premten edhe 222 persona që konsiderohen ende të zhdukur, katër ditë pasi tërmeti shkatërrimtar goditi vendin.

Numri i viktimave është aktualisht afër 100.

Dy gra të moshuara u nxorën nga rrënojat të enjten por shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë pas tërmetit 7.5 ballësh, të regjistruar në ditën e Vitit të Ri, po shuhen me shiun, borën dhe uljen e temperaturave që parashikohet të vijojnë ditët e ardhshme.

Mijëra pjesëtarë të skuadrave të shpëtimit nga e gjithë Japonia po përballen me pasojat e tërmetit dhe me rrugët e cara, të mbushura me gropa dhe të bllokuara nga rrëshqitjet e shpeshta të dheut në rajonin qendror Ishikava, për të arritur tek qindra persona në vendet bllokuara.

Të enjten pasdite, 72 orë pas tërmetit, dy gratë e moshuara u nxorën mrekullisht të gjalla nga rrënojat e shtëpive të tyre në Uajima, njëra prej tyre falë një qeni nuhatës.

Qyteti port i Uajimas në Gadishullin Noto ishte një prej vendeve më të goditura.

Autoritetet thanë të premten pasdite se 222 persona rezultojnë ende të zhdukur, shifer kjo që më parë ishte 242,

Numri i të vdekurve u rrit nga 92 në 94, me 464 persona të plagosur. Rreth 30.000 familje ishin pa energji elektrike në rajonin Ishikaua, dhe 89.800 shtëpi atje, përfshirë edhe ato në dy rajone fqinje, nuk kishin ujë të pijshëm.

Qindra njerëz ndërkohë janë vendosur në qendrat e pritjes të hapura nga qeveria. Japonia përballet me qindra tërmete çdo vit dhe shumica nuk shkaktojnë dëme, pasi vendi, vec të tjerash ka edhe kode strikte ndërtimi në fuqi prej më shumë se katër dekadash.

Tërmetet kanë goditur rajonin e Notos me forcë dhe frekuencë në rritje gjatë pesë viteve të fundit. Vendi u godit nga një tërmet i fortë nënujor me magnitudë 9.0 në vitin 2011, i cili shkaktoi një cunami që la rreth 18.500 njerëz të vdekur ose të zhdukur.

SHARE