MELONI: NUK KA EVROPË TË BASHKUAR PA BALLKANIN

Është e rëndësishme për ne që Ballkani Perëndimor t’i bashkohet familjes evropiane, tha sot kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

Ajo shtoi se presidenti serb e di se mund të llogarisë në mbështetjen e Italisë, për të përshpejtuar procesin e afrimit me Bashkimin Evropian (BE).

Meloni theksoi se Serbia ka rëndësi strategjike edhe për Italinë dhe tha se në kohën kur ka kriza të mëdha po hapen mundësitë për të dy vendet për të punuar edhe më mirë, kur flitet për tranzicionin energjetik dhe inteligjencën artificiale dhe fusha të tjera në të cilat ata mund të bashkëpunojnë.

“Prandaj jemi këtu dhe do të vazhdojmë të jemi ndër vendet e para që do të mbështesim procesin e zgjerimit, jo aq zgjerimin sa ribashkimin e Evropës, sepse Evropa nuk është një klub ku vendoset se kush duhet të jetë apo jo. Ajo që duhet të bëjnë institucionet evropiane është proces serioz dhe i shpejtë për të garantuar bashkimin e të gjithë Evropës”, ​​tha Meloni.

Ajo ka shtuar se e di që Serbia do të vazhdojë të ketë qasje konstruktive në dialogun me Kosovën. “Italia po ndjek procesin dhe ne po punojmë që të realizohen të gjitha detyrimet që palët kanë marrë përsipër”, shtoi Meloni. Kryeministrja italiane vlerëson se shkëmbimi tregtar mund të jetë edhe më i madh si dhe investimet që do të krijonin më shumë vende pune, duke kujtuar se rreth 150 mijë punëtorë punojnë në kompanitë italiane në Serbi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se kanë biseduar për të gjitha çështjet e rëndësishme për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe se kanë konstatuar se Serbia dhe Italia kanë marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike.

Ai theksoi se beson se vizita do të kontribuojë në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Italisë.

“Niveli i shkëmbimit të mallrave është 4.6 miliardë euro dhe besojmë se në të ardhmen mund të jetë shumë më i lartë, sidomos kur ‘Stelantis’ të fillojë prodhimin e ‘pandës’ elektrike në Kragujevc”, tha Vuçiq dhe shtoi se është e mundur që atëherë Italia do të jetë sërish partneri i parë dhe më i rëndësishëm i Republikës së Serbisë.

Sipas tij, kompania “Stelantis” përveç prodhimit të “pandas”, një automjet i ri elektrik, mund të jetë edhe gjeneruese e investimeve të reja në industrinë e automjeteve, e cila është deri tani burimi më i madh i investimeve të huaja direkte me një të katërtën e totalit të investimeve të huaja.

Vuçiq tha se është biseduar për çështjet rajonale, rrugën evropiane të Serbisë dhe se i është mirënjohës kryeministres italiane për mbështetjen thelbësore dhe këmbëngulëse të Republikës së Italisë për rrugën evropiane të Serbisë.

“I jam veçanërisht mirënjohës Giorgia-s, sepse ajo gjithmonë ka dashur të dëgjojë mendimin tonë, që ka pasur kohë të mjaftueshme për të dëgjuar se çfarë kishte për të thënë Serbia dhe se nuk kishte qasje të njëanshme ndaj problemeve në rajon”, tha Vuçiq.

Ai përkujtoi se Serbia ka marrëdhënie të mira me disa rajone të Italisë. Presidenti serb e falënderoi kryeministren italiane për përpjekjet për zgjidhjen e krizave rajonale në Ballkan dhe theksoi se “Italia i qaset zgjidhjes së problemeve në rajonin tonë objektivisht dhe rrënjësisht”.

Vuçiq shtoi se shpreson se në të ardhmen Italia do të luajë rol edhe më të rëndësishëm në çështjet që janë me interes jetik për mbijetesën e Serbisë dhe popullit të saj.

SHARE