BALLKANI I HAPUR: KËRKOHET ZBATIMI I MARRËVESHJEVE TË ARRITURA

Në takimin e radhës të udhëheqësve të nismës rajonale për bashkëpunim “Ballkani i hapur”, të mbajtur në Beograd më 4 nëntor, është rënë dakord që të përshpejtohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadër të kësaj nisme. Në këtë takim morën pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov. Presidenti Vuçiq ka thënë se do të formohet një këshill i zbatimit të marrëveshjeve të arritura, për përbërjen e të cilit do të vendoset në vazhdim. “Puna jonë është të shohim se ku kemi ngecur në praktikë”, ka thënë ai në një konferencë të përbashkët për media, duke shtuar se është frustruese që marrëveshjet në nivelin politik nuk janë implementuar në tërësi. Vuçiq ka shtuar se afaristët 100% e mbështesin këtë iniciativë, porse kërkojnë zbatimin më të shpejtë (të marrëveshjeve). Kryeministri Rama ka deklaruar se fokusi i takimit të sotëm ishte te njerëzit, kompanitë, fermerët, punëtorët, studentët, pra ata që janë përfitues të kësaj nisme. Edhe Rama ka thënë se afaristët njëzëri dhanë mbështetje për “Ballkanin e hapur”, mirëpo kërkuan që të zbatohen marrëveshjet politike, posaçërisht ato që kanë të bëjnë me kalimin në kufij. “Afaristët eksportojnë fruta të freskëta, perime dhe qumësht – këto janë produkte që mund të qëndrojnë në kufi për ditë të tëra. Nuk është e mundshme të arrini në kufi të premtën mbrëma dhe të prisni deri të hënën sepse qumështi do të bëhet kos”, ka deklaruar Rama. Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, ka deklaruar se situata në vendin e tij është mjaft komplekse, mirëpo nuk kanë mundësi të mos jenë të pranishëm në këtë takim. “Kjo iniciativë është e rëndësishme për zhvillimin e ekonomive tona, dhe për të ardhmen në BE,” tha ai.  I pyetur se a do të ta nxisë Kosovën që t’i bashkohet nismës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Beogradi i rregullon marrëdhëniet me Prishtinën nëpërmjet dialogut të Brukselit dhe se “Ballkani i hapur” është i hapur për të gjithë. “Ne ua kemi hapur derën edhe Prishtinës, edhe Sarajevës, edhe Podgoricës”, ka porositur Vuçiq. Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina deri tash nuk e kanë mbështetur këtë nismë.

SHARE