MARRËVESHJA E PARISIT, SHBA-ja TËRHIQET ZYRTARISHT

Pas një vonese trevjeçare, Shtetet e Bashkuara u bënë vendi i parë në botë që u tërhoqën zyrtarisht nga Marrëveshja e Parisit për Klimën. Presidenti Donald Trump ka shpallur planet për tërheqje qysh në qershor të vitit 2017, por rregullat e Kombeve të Bashkuara kanë kërkuar që vendimi të hyjë në fuqi vetëm sot, një ditë pas zgjedhjeve në SHBA. SHBA-ja mund t’i ribashkohet Marrëveshjes, nëse një president zgjedh ta bëjë këtë. Marrëveshja e Parisit për Klimën është hartuar në vitin 2015, për të forcuar përgjigjen globale ndaj ndryshimeve klimatike. Ajo është nënshkruar gati nga të gjitha vendet. Marrëveshja synon ta mbajë rritjen globale të temperaturës në këtë shekull nën 2 gradë Celsius. Trump e ka kundërshtuar Marrëveshjen, duke thënë se ajo e pengon biznesin dhe u jep përparësi vendeve të tjera. Ai e ka vënë vazhdimisht në dyshim shkencën e ndryshimit të klimës. SHBA-ja është përgjegjëse për rreth 15% të emetimeve globale të gazrave serë, që thuhet se ndikojnë në ndryshimet klimatike. Sfiduesi demokrat i Trumpit në zgjedhjet e 3 nëntorit, Joe Biden, ka thënë se do t’i ribashkohet Marrëveshjes së Parisit nëse zgjidhet president. 

SHARE