VENDOSET GURËTHEMELI I TRIBUNËS SË STADIUMIT NË TUZ

Gjatë ditës së sotme në prani të shumë figurave sportive, politike u hedh gurëthemeli i tribunës dhe rregullimi i terenit të stadiumit të klubit të futbollit „Deçiq“ në Tuz. Në ceremoni prezentë ishin Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, Kryetari i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviqeviq, Presidenti i KF „Deçiq“, Pal Dreshaj, zyrtarë nga Komuna e Tuzit dhe dashamirë të sportit. Pasi që Qeveria i’a transferoi Komunës së Tuzit të drejtën e disponimit të patundshmërisë për rindërtimin e stadiumit KF Deçiq, për kontraktues është zgjedhur kompania MD Momo në vlerë prej 2,350,797 euro. Afati i përfundimit të punimeve është 12 muaj. Tribunat do të funksionojnë sipas standardeve të UEFA-s. Tribunat kanë një kapacitet prej 1,300 spektatorësh, nga të cilët 80 janë vende VIP. Në kuadër të tribunave do të ketë ambiente biznesi, tualete, dhoma zhveshje, bar kafe, sallë VAR, qendër shtypi, infermieri, dhoma për antidoping, për gjyqtarë, delegatë… Tribunat do të kenë hyrje të veçantë për spektatorët, për lojtarët, gjyqtarët dhe kutitë VIP. Gjithashtu janë planifikuar 12 vende për personat me aftësi të kufizuara, një ashensor dhe ambiente të tjera për ata. Sipërfaqja e përgjithshme bruto është 2,815 metra katrorë. Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, mes tjerash falënderoi Federatën e Futbollit për ndihmën në ndërtimin e tribunës. ,,Falënderojmë Federatën e futbollit të Malit të Zi për bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm. Ne morëm mbështetje për këtë projekt dhe ndërtimi filloi menjëherë sapo mblodhëm të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Është ky një investim i përbashkët i cili ndihmon në zhvillimin e infrastrukturës së sportit të komunës sonë. Shpresoj që në të ardhmen bashkëpunimi ynë të jetë po aq i suksesshëm sa ka qenë deri më tani,” tha Gjeloshaj. Po ashtu, presidenti i KF „Deçiq“ Pal Dreshaj shprehet i kënaqur që zyrtarisht filluan punimet për ndërtimin e tribunës së stadiumit në Tuz. Drejtori i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviqeviq theksoi se është i kënaqur që pas disa pengesave administrative, ka filluar ndërtimi i tribunës së re të stadiumit në Tuz. ,,Më vjen jashtëzakonisht mirë që pas disa pengesave administrative, ka filluar ndërtimi i tribunës së re të stadiumit të Tuzit. Shpresoj që punimet të përfundojnë në kohë dhe Tuzi të marrë një godinë moderne futbolli. Dëshira jonë është që kur të ndërtohet kjo tribunë, të vazhdojmë me projektin dhe të ndërtojmë një tribunë tjetër në këtë stadium, që këtu të luhen ndeshjet ndërkombëtare” tha Saviqeviq gjatë vendosjes së gurëthemelit.

SHARE