Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi se Qeveria do të refuzojë çdo nismë të mundshme të Bashkimit Evropian për ngritjen e qendrave për pranimin dhe riatdhesimin e migrantëve të parregullt në territorin e Malit të Zi, duke theksuar se deri më tani një propozim i tillë nuk është paraqitur zyrtarisht.
“Lidhur me raportimet në media për një listë paraprake të vendeve ku Bashkimi Evropian mund të krijojë qendra për pranimin dhe riatdhesimin e migrantëve të parregullt nga vendet e BE-së, dua të bëj të qartë se Mali i Zi nuk ka zhvilluar negociata për ngritjen e qendrave të tilla në territorin e tij dhe se Qeveria nuk ka marrë asnjë nismë zyrtare për hapjen e tyre. Kur një nismë e tillë të vihet në tryezë, përgjigjja jonë do të jetë negative”, shkroi Spajiq në rrjetin social X.
Ai theksoi se Mali i Zi mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian në mbrojtjen e kufijve të përbashkët dhe në menaxhimin e flukseve migratore.
“Megjithatë, çdo vendim që ka të bëjë me shtetin tonë do të merret me përgjegjësi, në mënyrë transparente dhe vetëm në përputhje me interesat e qytetarëve të Malit të Zi”, porositi Spajiq.









