KURTI: NGA SOT FILLOI ZVOGËLIMI EDHE PËR 25 PËR QIND I PRANISË POLICORE NË KOMUNAT VERIORE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se nga sot ka filluar zvogëlimi edhe për 25 për qind të tjera i pranisë së policisë së Kosovës në tri ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Siç njofton Kurti në rrjetet sociale, kjo vjen pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja e drejtuesve të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in.

“Siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë. Janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme. Falënderojmë policinë dhe qytetarët pa dallim për bashkëpunimin dhe korrektësinë”, theksoi Kurti.

Ai tha se nuk do të ketë zvogëlim të përnjëhershëm dhe as të menjëhershëm të pranisë së policisë, por vetëm gradual e proporcional dhe po ashtu zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit “ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit”.

Kurti tha se pala kosovare po zbaton me përgjegjësi dhe seriozitet, sinqeritet dhe kujdes, marrëveshjen e Bratisllavës nga 10 korriku 2023 në funksion të kërkesave të BE-së nga 3 qershori 2023 për de-eskalim.

“Konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për de-eskalim të qartë. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për ri-eskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior”, tha Kurti.

Ai ftoi qytetarët të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme, prej atyre që janë pasojë e keqkuptimit, moskuptimit apo keqinterpretimit të situatës dhe zhvillimeve e deri tek ato që janë dëshira anti-qeveritare të transmetuara publikisht si lajme faktike.

SHARE