KUVENDI I KOSOVËS MIRATOI VENDIMIN E QEVERISË PËR MASAT EMERGJENTE PËR FURNIZIM ME ENERGJI ELEKTRIKE

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, deputetët miratuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat emergjente për furnizimin me energji elektrike. Për vendimin votuan 61 deputetë, nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi para deputetëve se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është e nevojshme. Ajo tha se në tregun evropian ka pasur një rritje enorme të çmimit të energjisë elektrike, që do të ndikojë edhe në Kosovë në muajt e ardhshëm. Ajo po ashtu tha se për shkak të krizës energjetike mund të pritet që disa vende evropiane të ndalojnë eksportin e energjisë elektrike. “Duke marrë parasysh situatën energjetike në vend dhe me qëllim të tejkalimit të kësaj situate, Qeveria propozon të shpallë masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji të vlefshme në një kohëzgjatje maksimale deri në 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi”, ka thënë Rizvanolli. Masat e Qeverisë i referohen ndihmës për qytetarët, ndalimit të prodhimit të kriptovalutave dhe masave për kursimin e energjisë elektrike. Megjithatë, opozita deklaroi se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për furnizimin me energji elektrike është e panevojshme dhe mund të ndikojë në çmimin e energjisë elektrike. Deputetët e opozitës nuk i kanë mbështetur masat e propozuara, por nuk kanë votuar as kundër. Kuvendi mund t’i zgjasë masat emergjente të miratuara deri në 180 ditë.

SHARE