KEKOVIQ: MUND TË KETË GREVË TË PËRGJITHSHME DHE BLLOKADA NËSE NUK ARRIHET MARRËVESHJE BRENDA 15 DITËVE TË ARDHSHME

Foto: Mediabiro

Unioni i Sindikatave të Lira ka paralajmëruar se, nëse brenda 15 ditëve të ardhshme nuk arrihet përparim në negociatat për Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive dhe rritjen e pagave, do të detyrohet të ndërmarrë forma më të ashpra të veprimit sindikal, përfshirë grevë të përgjithshme, bllokada nëpër qytete dhe mosbindje civile.

Sekretari i përgjithshëm, Srgja Kekoviq, theksoi se situata është shumë e vështirë si për sindikatat ashtu edhe për rreth 100 mijë të punësuar në Mal të Zi, pasi aktualisht mungon një marrëveshje e përgjithshme kolektive në fuqi.

Ai kujtoi se sindikatat, së bashku me përfaqësuesit e punëdhënësve, kishin propozuar rritjen e koeficientit bazë të pagave nga 90 në 100 euro bruto dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje të re, por sipas tij, Qeveria ka vonuar vazhdimisht procesin.

Kekoviq akuzon Qeverinë se po zvarrit dialogun social dhe nuk po jep përgjigje të qarta, duke shtyrë takimet dhe duke mos respektuar marrëveshjet e mëparshme.

Ai thekson se, ndonëse Qeveria deklaron se mbështet rritjen e pagave dhe përmirësimin e standardit të jetesës, në praktikë nuk po ndërmerr hapa konkretë.

Ndërkohë, punonjësit, veçanërisht në sektorin publik, po përballen gjithnjë e më shumë me rritjen e kostos së jetesës dhe largimin e fuqisë punëtore jashtë vendit.

Ai gjithashtu nënvizoi se dialogu social është një element kyç në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe se mungesa e tij dëmton këtë proces.

Si reagim ndaj neglizhencës së Qeverisë, sindikatat tashmë kanë nisur protesta dhe paralajmërojnë se ato mund të përshkallëzohen në masa më radikale nëse nuk arrihet një marrëveshje së shpejti.

SHARE