Rozmarina – Aftësitë Shëruese për Kujtesën, Reumatizmën dhe Dhimbjet e Muskujve

Rozmarina ka një shije dhe aromë të pashoqe.

Emri i saj vjen nga Latinishtja dhe përkthehet “Vesa e Detit”.

Ajo është një nga erëzat më të preferuara të amvisave shqiptare.

Qytetërimet e lashta të Egjiptit, Romës dhe Greqisë e konsideronin rozmarinën, një barishte të shenjtë.

Në Mesjetë, rozmarina besohej të kishte aftësi të mëdha në ndezjen e dashurisë mes nje mashkulli dhe një femre, ndaj ajo përdorej gjërësisht nëpër dasma dhe ceremoni.

Rozmarina dhe Vlerat Shëndetësore

Ajo përdoret për të përmirësuar kujtesën dhe është e pasur me ushqyes të dobishëm për organizmin.

Konsumi i rozmarinës përmirëson qarkullimin e gjakut në tru dhe ndihmon në rritjen e përqendrimit.

Vetëm një vit më parë, shitjet e vajit esencial të rozmarinës pësuan një rritje të katërfishtë pas studimeve shkencore sipas të cilave kjo bimë përmirëson kujtesën.

Blerjet u përqendruan kryesisht në rradhët e studentëve të cilët në sezon provimesh kanë nevojë për një kujtesë më të mirë.

Shkencëtarët besojnë se aroma e rozmarinës ndikon dhe gjallëron aktivitetin në tru.

Jo më kot, në Greqinë e lashtë, studentët mbanin kurora rozmarine në kokë gjatë studimeve.

Vaji esencial i rozmarinës është përdorur prej shekujsh edhe për të larguar dhimbjet e kokës, dhimbjet muskulare, reumatizmën dhe artritin.

Rozmarina ka aftësi parandaluese të rënies së flokëve dhe kundër thinjave.

Vaji i rozmarinës dhe çaji i saj janë përdorur gjithashtu për të stimuluar dhe ushqyer rrënjët e flokëve dhe për rritjen e tyre.

Si Ta Përgatisni Çajin e Rozmarinës

Përbërësit:

1 filxhan me qumësht

Një degë rozmarine të tharë ose një lugë gjelle me rozmarinë të thatë

Një lugë çaji me mjaltë

Ndajeni degën e rozmarinës dhe copëzat hidhini në një tenxhere me qumësht dhe lërini të ziejnë së bashku.

Hiqeni nga zjarri dhe lërini të qëndrojnë së bashku për pesë minuta, gjatë të cilave duhet ta përzieni lëngun vazhdimisht.

Shtypini copat e rozmarinës me lugë që të lëshojnë një aromë më të fortë dhe të çlirojnë vajrat esencialë.

Shtoni mjaltin dhe çaji është gati.

Rozmarina është një bimë që mund të rritet lehtë në shtëpitë tuaja sepse ka nevojë për pak përkujdesje.

Si Ta Rrisni Rozmarinën Në Shtëpi

Kur të vijë pranvera merrni një degë rozmarine dhe vendosni në një vazo të vogël.

2/3 e vazos duhen mbushur me rërë të trashë dhe një e treta me plehun organik.

Vendoseni vazon në një vend me dritë, por jo nën ekspozimin e drejtpërdrejtë të rrezeve të diellit.

Ujiteni rregullisht dhe mbajeni atë në një vend të ngrohtë deri sa dega të zënë rrënjë.

Ky proçes zakonisht zgjat për tre javë.

Sapo fidanët të kenë zënë rrënjë, atëherë ju mund t’i zhvendosni në vazo më të mëdha ose në kopsht.

Rozmarina kërkon një ujitje mesatare dhe i pëlqen uji i shiut.

Ajo është një bimë e lumtur që lulëzon në temperatura si të ngrohta edhe të ftohta, buzë detit ose në male.

Kur ajo të jetë rritur, mblidheni rozmarinën sipas dëshirës.

Shkurrja do të vazhdojë të rritet e të prodhojë sipas dëshirës.

Duke qenë se rozmarina është bimë e e përhershme, frytet e saj do t’i shijoni gjatë gjithë vitit./AgroWeb.org

SHARE