Byrek me Krem Djathi

Është një recetë fantastike që të kënaq syrin që në pamjen e parë, e që të ndjell menjëherë shijen për ta provuar patjetër.

Një recetë e veçantë, shumë e shijshme që mbush gjithë shtëpinë me aromë fantastike dhe bashkon gjithë familjen drejt tryezës me nepsin e oreksin për ta konsumuar sa më parë.

Me petët e sipërme krokante dhe mbushjen e kripur kremoze nga kombinimi i djathrave dhe kremit të qumështit, ky byrek nëse nuk e keni provuar do të shndërrohet me patjetër në më të preferuarin tuaj.

AgroWeb.org  u sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së tij në shtëpi, mjafton vetëm pak durim dhe do të përftoni një gatim special duke kënaqur shijen e gjithë familjes dhe më të dashurve tuaj.

Byreku me Krem Djathi

Përbërësit

  • Djathë kaçkavall i grirë 250 gr
  • Djathë pice i grirë 250 gr
  • 500 gr Krem Qumështi (Beshamelën mund ta përgatisni vet ose e gjeni në supermarket)
  • 500 gr Miell
  • 250 ml Ujë
  • Vaj Ulliri
  • Pak gjalpë fshati
  • Sodë Buke

Përgatitja e brumit dhe mbushjes  

Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin.

Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë ndërsa nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.

Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër dhe e lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e mbushjes.

Për përgatitjen e mbushjes, në një tas bashkojmë dy llojet e djathrave. Shtojmë gjysmën e kremit të qumështit dhe i përzjejmë derisa masa të bëhet e njëtrajtshme.

Gjysmën tjetër të kremit të qumështit e ruajmë për lyerjen e petëve.

Për përgatitjen e kremit të qumështit

Masat ½ l qumësht, 50 gr miell, 50 gr gjalpë i freskët dhe kripë.

Në një tigan shkrijmë gjalpin dhe shtojmë miellin.

E kavërdisim me shumë shpejt në zjarr shumë të ngadaltë.  E kavërdisim me një lugë druri derisa të zverdhet pak.

E largojmë nga zjarri dhe shtojmë pak e nga pak qumështin, të cilin më parë e kemi ngrohur, e trazojmë shpejt me lugë druri në mënyrë që të mos krijohen kokërriza.

E vendosim prapë në zjarr të ngadaltë, e rregullojmë për kripë dhe vijojmë ta përzjejmë derisa salca të jetë trashur tërësisht.

Përgatitja e  Byrekut

Brumin e ndajmë në 10 kuleçë të vegjël dhe nisim hapjen e petave.

Në tepsinë e lyer me vaj ulliri, shtrojmë tre petat e para të cilat, një e nga një i lyejmë përmes një furçe kuzhine me beshamel dhe i spërkasim me disa pika gjalpë të shkrirë ose vaj ulliri.

Më pas shtrojmë pjesën e parë të mbushjes me djathë. (Masën e djathit e planifikojme të ndarë në dy apo për tre shtresa sipas preferencës)

Vijojmë me shtrimin e dy petave të tjera, të cilat i lyejmë më parë me beshamel dhe më pas hedhim sërish një pjesë të mbushjes me djathë.

Pas kësaj, sërish shtrojmë dy peta të tjera duke i spërkatur gjithmonë me disa pika vaj ulliri.

Hedhim dhe pjesën tjetër të mbushjes dhe vijojmë shtrimin e dy petave të tjera.

Hedhim edhe pjesën tjetër të mbushjes së djathrave dhe më pas shtrojmë tre petat e fundit duke u hedhur sërish disa pika gjalpë ose vaj ulliri dhe e lyejmë me beshamel përmes furçës së kuzhinës.

Byrekun e pjekim në furrë në 200 gradë deri sa të marrë pjekjen e duhur të kuqërremtë.

Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me një lugë gjalpë fshati./AgroWeb.org

SHARE