NË SHQIPËRI MBAHET FORUMI NDËRKOMBËTAR I TURIZMIT

Në Shqipëri po mbahet Forumi Ndërkombëtar i Turizmit, ndërkohë në kudër të forumit është organizuar paneli me temë “Roli i qeverive në formësimin e agjendave të turizmit të së ardhmes”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve nga disa vende.

Në panelin e diskutimit të mbajtur në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm ministra, zëvendësministra dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme nga Shqipëria dhe vende të tjera.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, në fjalën e saj në panel tha se njerëzit janë pjesë e ekosistemit mjedisor dhe në këtë kontekst sipas saj përgjegjësia është shumë e madhe.

“Besoj si një lloj gjetje ekuilibri qeveria shqiptare i ka vënë të dyja në një portofol për të zhvilluar turizmin në mënyrë të qëndrueshme dhe për të mbrojtur mjedisin si një pasuri të jashtëzakonshme klimatike, mjedisore, por edhe si një ofertë të diversifikuar të turizmit”, theksoi Kumbaro.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili, u shpreh se duhet të jenë më aktivë dhe duhet të organizojnë më tepër projekte së bashku.

“Dua t’i përdor gjithmonë këto panele si një mësim, si pika të reja kontakti, si mundësi të reja. Ne po promovojmë dhe po mbështesim zhvillimin rajonal dhe fshatrat turistikë dhe i përgëzoj gjithë vendet që kanë fshtra turistikë”, u shpreh Pololikashvili.

Ndërkohë, në event mbajti një fjalë përshëndetëse edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe pjesë e panelit ishin edhe zyrtarë nga Kroacia, Greqia, Lituania dhe vende të tjera.

Gjithashtu u mbajtën edhe panele të tjera diskutimi në lidhje me temat për strategjitë e perspektivave të investimeve dhe roli i donatorëve në strategjitë e zhvillimit të turizmit.

SHARE