LAJÇAK TAKON NË BRUKSEL KRYENEGOCIATORËT BISLIMI E PETKOVIQ

Kryenegociatori i Kosovës në Dialogun Kosovë-Serbi, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, është takuar në Bruksel me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak. 

Pas takimit me Bislimin, Lajçak nëpërmjet rrjeteve sociale bëri të ditur se ka takuar edhe shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Emisari Lajçak pas takimeve të ndara me kryenegociatorët e dialogut zhvilluan takim trilateral për të diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëvesjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, Lajçak tha se veç zbatimit të marrëveshjes, midis tyre u diskutua edhe për “çështjet aktuale urgjente”.

Ky është takimi i parë i Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve pas dakordimit më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut për aneksin e implementimit të Planit Evropian, për përmbajtjen e të cilit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel.

SHARE