ASH, LDSH DHE UNSH URUAN PËR POSTIN E RI, PRESIDENTIN E SAPOZGJEDHUR JAKOV MILLATOVIQ

Kryetari i komunës së Tuzit njëkohësisht kryetar i Alternativës Shqipare, Nik Gjeloshaj, kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare, Nikollë Camaj si dhe UNSH uruan Jakov Millatoviq për postin e presidentit të Malit të Zi.

Gjeloshaj, ka uruar presidentin e sapozgjedhur Jakov Millatoviq për fitoren e tij në zgjedhje dhe ka sugjeruar që një theks i veçantë t’i kushtohet pakicave.

“Mënyra e festimit nuk dërgoi saktësisht një mesazh të tillë”, tha ai.

Gjeloshaj thekson se janë të bindur se Millatoviq do të konfirmojë dhe do ta bëjë me veprimet e tij atë që ka premtuar gjatë fushatës zgjedhore dhe se do të jetë president i të gjithë qytetarëve.

“Si perfaqësues i shqiptarëve, duke respektuar vullnetin e sovranit, jam i gatshëm për bashkëpunim me respekt të ndësjellt dhe në bazë të parimeve që i përfaqësojmë,“ shkruan Gjeloshaj në Facebook.

Ai ka përgëzuar edhe qytetarët që kontribuan që procesi zgjedhor të zhvillohet në frymën e lirisë dhe demokracisë.

“Sa më e madhe është mbështetja, aq më e madhe është përgjegjësia”, shtoi Gjeloshaj.

Po ashtu, kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare, Nikollë Camaj, ka uruar Jakov Millatoviq dhe Lëvizjen “Evropa Tani” për fitoren në zgjedhjet presidenciale.

Camaj në urimin e tij ndër të tjera thotë: „Qytetarëve të Malit të Zi u urojmë ndryshime të lumtura, me shpresën se këto ndryshime do të sigurojnë përmbushjen e premtimeve të dhëna për pezullimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, për rritjen e standardit të qytetarëve dhe aksesin në BE, duke ruajtur sigurisht harmoninë në shtëpi, dhe marrëdhënie të mira fqinjësore! Ndryshime të tilla do të kenë mbështetjen e parezervë të LDSH-së, jam i sigurt se edhe të shqiptarëve, si dhe të pakicave të tjera në Mal të Zi”, shkruan Camaj në urimin e tij.

Unioni Nacional Shqiptar (UNSH), e përgëzojë për fitoren e rrufeshme demokratike në zgjedhjet presidenciale të së dielës, kandidatin e Lëvizjes Evropa Tani, Jakov Millatoviq.

Unioni Nacional Shqiptar ndër tjera në urimin e tyre thanë: „UNSH shpreson se presidenti i ri i Malit të Zi, z.Millatoviq, do të kultivojë të arriturat e tij demokratike dhe se do të jetë i gatshëm që me shqiptarët, në Mal të Zi dhe në rajon, të vendosë marrëdhënie dhe bashkëpunim të rregullt, në dobi të rrugës evropiane të Malit të Zi dhe të marrëdhënieve miqësore fqinjësore me shqiptarët në Ballkan.“

SHARE