HOLLAJ: RRITET NUMRI I TË INFEKTUARVE NË ULQIN

Situata epidemiologjike në Ulqin është mjaft komplekse, që shihet nga numri i pacientëve në Qendrën Kovid”, vlerësoi Sadije Hollaj, drejtorja në detyrë e Shtëpisë së Shëndetit në këtë qytet. Numri i pacientëve të infektuar rritet, e siç theksoi, vetëm sot janë bërë rreth 60 teste të shpejta prej të cilëve 16 ishin pozitiv. “Po ashtu, nga 60 teste PCR që janë bërë, 30 janë pozitiv. Apeloj tek qytetarët që të respektojnë masat, sepse është e dukshme që për këtë gjendje serioze jemi fajtorë vetëm ne. Nuk kemi respektuar udhëzimet për mbrojtjen nga infektimi me koronavirus”, tha Hollaj në deklaratën për agjencinë Mediabiro. Kovid ambulanca, shtoi ajo, punon në dy turne, ndërsa personeli mjekësor dhe jomjekësor po jep çdo gjë nga vetja në mënyrë që gjendja të qetësohet sa më parë. “Për momentin kemi mjaftueshëm kuadro mjekësorë dhe kuadro të mesëm mjekësorë, sepse kërkuam këtë gjë nga Ministria e Shëndetësisë e cila na e aprovoi kërkesën”, tha Hollaj duke theksuar se hyrja në Qendrën Kovid gjendet në hyrjen kryesore të Shtëpisë së Shëndetit, ndërsa të gjithë ambulancat tjera kanë hyrje të veçanta.

SHARE