SHQIPËRIA DËRGON KONTINGJENTIN E PARË NË OPERACIONIN E BE-së NË BOSNJË DHE HERCEGOVINË

Foto: MEPJ e Shqipërisë

Forcat e Armatosura të Shqipërisë vazhdojnë me kontributin e tyre në misionet ndërkombëtare, ndërkohë është rritur me 30 trupa prania e Shqipërisë në operacionin e Bashkimit Evropian “ALTHEA” në Bosnjë dhe Hercegovinë, i integruar me kompaninë e Forcave të Armatosura të Türkiyes, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë thuhet se një togë nga Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë i Forcës Tokësore të Shqipërisë do të jetë kontingjenti i parë në këtë operacion, ku theksohet se vitet e fundit Shqipëria ka kontribuar me oficerë shtabi.

Në ceremoninë e përcjelljes së këtij kontingjenti të mbajtur në Tiranë morën pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, i ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri, Andre Rizzo dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të Shqipërisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Hasani vlerësoi se ky angazhim nuk është thjesht një detyrë ushtarake, por një dëshmi e qartë e përkushtimit të palëkundur të Shqipërisë ndaj sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar. “Pjesëmarrja jonë në këtë mision pasqyron vlerat që ne ndajmë me partnerët tanë: paqen, bashkëpunimin dhe sigurinë kolektive”, ka theksuar Hasani.

Ministri Vengu theksoi se Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë rritur ndjeshëm pjesëmarrjen në misionet dhe operacionet ndërkombëtare, duke u rreshtuar sipas tij me politikat e BE-së në kuadër të anëtarësimit në Union.

“Forcat e Armatosura arrijnë shifrën e 500 efektivëve të dislokuar në mënyrë permanente në misione jashtë vendit. Gra dhe burra, janë të angazhuar çdo ditë, në mbarë Evropën, në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Përmes këtij kontributi, Shqipëria, jo vetëm dëshmon se linjëzohet 100 për qind me politikën e jashtme të sigurisë së BE, por ky është një linjëzim me vepra”, u shpreh ministri Vengu.

Sipas njoftimit, ambasadori turk Atay theksoi bashkëpunimin e hershëm mes forcave të armatosura të dy vendeve, të cilat kanë shërbyer krah njëra-tjetrës në Afganistan, “megjithatë e konsideroi nisjen e këtij operacioni të ri si një moment të rëndësishëm në vazhdimësinë e bashkëpunimit dypalësh”.

Fjalë përshëndetëse ka mbajtur edhe i ngarkuari me punë i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Andre Rizzo, ku theksohet se “vlerësoi rreshtimin e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së BE-së”.

Kontingjenti i parë shqiptar në operacionin “ALTHEA” në Bosnjë dhe Hercegovinë përbëhet nga 30 trupa dhe sipas institucioneve shqiptare do të shërbejë për rreth 6 muaj në Camp Butmir në Sarajevë.

SHARE