Receta Fantastike e Biskotave të Buta me Portokalle

Me portokallet, frutat me aromën me të mirë këtë sezon, mund të përgatisësh ëmbëlsira nga më të ndryshmet.

Por sigurisht që recetat e thjeshta janë ato që kërkojmë që të gjithë.

Të shpejta dhe pa shumë mund, këto janë karakteristikat e një recetë perfekte për t’u përgatitur edhe gjatë javës.

E tillë është edhe receta që ju sugjeron AgroWeb.org ditën e sotme.

Kur vjen puna tek ëmbëlsirat shumë kush stepet pasi i duken të komplikuara.

Por ju premtojmë që biskotat me portokalle përveçse janë të shijshme mund të përgatiten fare thjesht.

Përbërësit

  • Lëkura e një portokalli
  • 50ml lëng portokalli
  • 400g miell
  • 2 të verdha vezësh
  • 150g gjalpë
  • 125g sheqer
  • 2g fryrës ëmbëlsirash
  • Pak kripë

Përgatitja

Ajo çka është e rëndësishme në përgatitjen e ëmbëlsirave, është që të gjithë përbërësit të jenë në të njëjtin temperaturë.

Pra 20 minuta para se të nisni përgatitjen e kësaj ëmbëlsire sigurohuni që të keni nxjerrë nga frigoriferi që të gjithë përbërësit.

Në një tas bashkoni miellin, fryrësin, sheqerin dhe lëkurën e portokallit të grirë me rende.

AgroWeb.org ju këshillon që të shtoni shumë pak kripë dhe gjalpin që e keni prerë në kubikë të vegjël.

Pasi të keni shtrydhur portokallin masni 50ml dhe kullojeni me një sitë të vogël.

Kështu do të mbetet vetëm lëngu, farat dhe fijet e portokallit do t’i eliminoni.

Hidheni lëngun tek përbërësit e tjerë dhe shtoni edhe të verdhat e vezëve.

Tani filloni ta punoni brumin derisa gjithçka të lidhet në mënyrë perfekte.

Ndajeni brumin në dy pjesë dhe formoni cilindra.

Me ndihmën e një thike prisni feta dhe jepuni formën e topthave duke i punuar me duar.

Vendosini të gjithë topthat në një tavë dhe me një pirun mund të krijoni vijëzime për t’i bërë biskotat edhe më të bukura.

Piqini në furrë të ngrohur më parë me 180 gradë për 25 minuta.

Pasi të jenë pjekur largojini nga tava dhe lërini të ftohen pak e më pas mund t’i shërbeni./AgroWeb.org

SHARE