Si të Përgatisni Gjizë në Mikrovalë për 5 Minuta

Gjiza është padyshim një nga ushqimet tradicionale më të mira për të cilën,  shqiptarët krenohen pa fund.

Gjiza është pjesë e pandashme e shportës së ushqimeve të amvisave të cilat e përdorin atë në shumë receta.

Gjiza shkon mirë me speca të skuqur, me vezë, me spinaq, vaj ulliri e hudhër.

Ajo është antipasta e preferuar e burrave që e shoqërojnë atë me raki.

Gjiza është e pasur me proteina, kalçium dhe ushqyes të tjerë të shëndetshëm.

Ajo ka pak kalori dhe ndihmon për rënien nga pesha e nga ana tjetër është burim i pasur probiotikësh dhe vitaminave të kompleksit B.

Si Të Përgatisni Gjizë Në Mikrovalë Për 5 Minuta.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni një recetë të thjeshtë të përgatitjes së shpejtë të gjizës në mikrovalë.

Përbërësit: 

  • 475 ml qumësht me yndyrë të plotë
  • 2 lugë gjelle uthull të bardhë ose lëng limoni
  • gjysmë luge çaji kripë.

Përgatitja: 

Hidheni qumështin në një enë rezistente ndaj nxehtësisë dhe lëreni të ziejë në mikrovalë për 3-5 minuta.

Për mpiksjen e qumështit shtoni uthullën ose lëngun e limonit dhe përziejini së bashku shkurtimisht.

Më pas, prisni 1-2 minuta deri sa qumështi të pritet në copëza të vogla dhe lëngu të marrë një nuancë të verdhë.

Nëse lëngu është akoma i bardhë dhe qumështi nuk është prerë, atëherë shtoni edhe një lugë gjelle limon ose uthull dhe futeni në mikrovalë për 30 sekonda të tjera.

Më pas vendosni një napë të pastër në një kullesë dhe në të hidhni qumështin e prerë dhe ta lini të kullojë për 1 orë.

Sa më gjatë të qëndrojë qumështi i prerë aq më e ngurtë do të jetë gjiza.

Shtoni kripë kur kullimi të ketë përfunduar.

Gjizën mund ta ruani në frigorifer për 4-5 ditë ndërsa hirrën mund ta përdorni për më shumë proteinë në receta të ëmbla dhe të kripura./AgroWeb.org

SHARE