Forumi shqiptar dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) kanë formuar një klub të përbashkët deputetësh në parlamentin e Malit të Zi, ku Nik Gjeloshaj do të jetë kryetar i klubit.
“Ne vendosëm ta bëjmë këtë hap me synimin e bashkimit sa më të madh të shqiptarëve si dhe përfaqësimit të tyre autentik. Vetëm së bashku mund të punojmë për integrimin dhe përparimin e shqiptarëve, ku kjo do të jetë pjesa kyçe e agjendës sonë të veprimit. Veprimtaria politike e klubit është unike në çdo aspekt, duke mbrojtur dhe promovuar njëzëri të drejtat e popullit shqiptar,” thuhet në deklaratë.
Siç theksojnë ata, në këtë mënyrë, tre deputetë unik shqiptar do të përfaqësojnë popullin e tyre me dinjitet dhe do të punojnë me përkushtim dhe për zhvillimin dhe avancimin e të gjitha komunave ku jetojnë shqiptarët.
“Nga klubi ynë i përbashkët i deputetëve, gjuha shqipe me krenari do të dëgjohet dhe do të jehojë në Parlamentin e Malit të Zi. Vazhdimi i integrimit të shqiptarëve, përmirësimi i standardit të tyre të jetesës dhe faktorizimi i plotë do të forcohen përmes klubit tonë. Gjithashtu, klubi ynë do të përfaqësojë një themel konkret për promovimin e vlerave evropiane dhe perëndimore, duke mbështetur dhe duke u angazhuar që Mali i Zi të bëhet anëtari i parë i ardhshëm i BE-së, si dhe duke forcuar pozitën e Malit të Zi në NATO. Klubi ynë do të mbajë marrëdhënie të shkëlqyera si me vendet e rajonit ashtu edhe me vendet perëndimore, në radhë të parë me SHBA-në, si aleatin tonë kryesor. Jemi të sigurt se klubi ynë do ta përfaqësojë kombin tonë në mënyrë të ndershme dhe autentike edhe në qeverinë e re të 44-të që do të formohet në Mal të Zi,” thuhet në deklaratë.