SHIMUN: LIGJET E REJA FORCOJNË SISTEMIN SHËNDETËSOR SIPAS STANDARDEVE TË BE-së

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Shëndetësisë i Malit të Zi, Vojisllav Shimun, deklaroi se miratimi i paketës së ligjeve në fushën e shëndetësisë përbën një hap të rëndësishëm reformues dhe dëshmon përkushtimin e vendit për harmonizimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.

Ai theksoi se ndryshimet ligjore forcojnë mbrojtjen e shëndetit publik, përmirësojnë kapacitetet institucionale dhe avancojnë procesin e integrimit evropian.

Ndër risitë kryesore është krijimi i Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm për identifikimin e substancave të reja psikoaktive, si dhe mundësia për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të tyre deri në 12 muaj, edhe para se të përfshihen zyrtarisht në listën e drogave.

Ligjet e reja gjithashtu ndalojnë çdo formë promovimi të drogave dhe substancave të reja psikoaktive, forcojnë kontrollin mbi substancat që mund të përdoren për prodhimin e narkotikëve dhe rrisin standardet e sigurisë për produktet kozmetike.

Sipas Shimunit, këto ndryshime jo vetëm që ndihmojnë në përmbushjen e detyrimeve ndaj BE-së, por edhe ndërtojnë një sistem shëndetësor më modern, të bazuar në parandalim, përgjegjësi dhe mbrojtje më të mirë të qytetarëve.

SHARE