MALI I ZI KUFIZON TË DREJTËN PËR PUSHIM MENSTRUAL ME PAGESË

Foto: Ilustrim

Mali i Zi është bërë vendi i parë në rajon që ka miratuar me ligj të drejtën për pushim menstrual me pagesë.

Sipas ndryshimeve në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor, këtë të drejtë do ta kenë vetëm gratë me diagnozë të konfirmuar të dismenoresë sekondare, të cilat mund të mungojnë deri në dy ditë në muaj me pagesë të plotë.

Propozuesja e ligjit, deputetja Jevrosima Pejoviq, sqaroi se kufizimi është vendosur për të parandaluar keqpërdorimet dhe për të nxitur gratë të kryejnë kontrolle të rregullta gjinekologjike.

Ajo theksoi se do të mjaftojë një vërtetim nga gjinekologu një herë në vit për të përfituar këtë të drejtë.

Deputetja e Lëvizjes Evropa Tani, Nagja Lakoviq, e cilësoi miratimin e ligjit si një moment historik për Malin e Zi dhe një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të grave.

Ajo vlerësoi se në të ardhmen duhet të shqyrtohet zgjerimi i kësaj të drejte edhe për gratë që vuajnë nga dhimbje të forta menstruale, por që ende nuk kanë një diagnozë mjekësore.

Në Bashkimin Evropian, një ligj i ngjashëm është në fuqi vetëm në Spanjë.

SHARE